Luçiano Spalletti nuk rrezikon shkarkimin nga detyra. 63 vjeçari do vazhdojë të jetë trajner i Napolit edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik, teksa ka një kontratë deri në verën e vitit 2024. Disfata befasuese 3-2 me Empolin në javën e 34 të Serisë A, turbulloi ujërat në kampin e të kaltërve dhe i pari në shënjestër ishte timonieri I skuadrës.
Megjithatë, duke iu referuar këtu mediave italiane, Luçiano Spalletti do vazhdojë i qetë punën në krye të pankinës napoletane. Ka qenë vetë presidenti i klubit, Aurelio De Laurentis, ai që ka biseduar me takticienin dhe në fund ka vendosur se ndaj tij nuk do ketë masa drastike.
Pasi tashmë ka dalë nga gara për titullin kampion, De Laurentis i ka kërkuar skuadrës që sa më shpejt të jetë e mundur të sigurojë kualifikimin në Champions League për edicionin e ardhshëm. Për momentin, Napoli renditet në vendin e 3-të në tabelë dhe ky është një objektiv mëse I arritshëm nga 2 herë kampionët e Serisë A.
Po ashtu, në vizitën e parë të këtij sezoni, që presidenti De Laurentis i bëri skuadrës në stërvitje, një tjetër temë e diskutuar ka qenë edhe çështja Dries Mertens. Me 146 finalizime, belgu është golashënuesi më i mirë i historisë së Napolit, kontrata e të cilit përfundon në fund të sezonit. Megjithatë, sa i përket rinovimit, nuk pritet të ketë probleme dhe gjithçka mund të konkretizohet në të ardhmen e afërt.