Napoli interesohet për Edon Zhegrovën

Sport

Edon Zhegrova përfundon nën radarët e Napolit. Ndonëse sapo ka fituar titullin kampion, kjo verë pritet të shkaktojë një revolucion të vërtetë tek skuadra e kaltër. Mediat përtej detit, e bëjnë thuajse të sigurt largimin e trajnerit Luçiano Spalletti, me drejtuesit që kanë nisur kërkimet për pasuesin e 64 vjeçarit. Luis Enrique është emri që përflitet më tepër, megjithatë asgjë konkrete nuk ka mbi këtë temë.

Gjithashtu, nga Napoli pritet të largohen edhe një sërë lojtarësh të rëndësishëm të skuadrës, sikurse është sulmuesi Victor Osimhen, për të cilin interesohen klube me peshë të kontinentit, duke nisur nga Bayern Munich, apo Manchester United.

Mbrojtësi Kim Min-jae është gjithashtu një tjetër personazh që këtë verë, pritet të ndajë rrugët me kampionët e Serie A. Në këtë rrethanë ngjarjesh, Napoli ka nisur të mendojë edhe për përforcimet. Mediat e huaja, bëjnë me dije, se është pikërisht Edon Zhegrova që ka përfunduar në radarët e klubit nga Jugu i Italisë.

Që nga Janari i 2022-shit, Zhegrova është pjesë e skuadrës së Lille në Ligue 1. Këtë sezon futbollistik, anësori i sulmit është aktivizuar 24 ndeshje në të gjitha garat me klubin francez, teksa ka shënuar 4 gola dhe 5 asiste.

Vlera aktuale e djaloshit të përfaqësueses dardane në tregun e merkatos cilësohet rreth 10 mln euro, ndërsa kontrata e tij me Lille është e vlershme deri në verën e 2026-tës. Mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojnë muajt e verës në lildhje me këtë temë, por padyshim që një transferim në radhët e Napolit, do të ishte një ngjitje e konsiderueshme në karrierë për Edon Zhegrovën.