Napoli fiton dhe i afrohet Interit, sezon rekord për Scot McTominay

Sport

Napoli mposht pa vështirësi Empolin dhe ruan diferencën në krye me Interin. Në atë që ishte ndeshja e fundit për javën e 32 të Serie A, Napoli fitoi 3-0 në shtëpi, duke dhuruar spaketkël për tifozët e pranishëm në stadiumin Diego Armando Maradona.

Sfida u hap shpejt. Në minutën e 18, Scot McTominay realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca, duke mos i dhënë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar.

Në pjesën e dytë, ai që dyfishoi rezultatin për ekipin e kaltër, ishte Romelu Lukaku. Belbu, tani regjistron 12 gola dhe 10 asiste këtë sezon në Serie A, duke u bërë kësisoj një nga lojtarët e paktë në 5 ligat kryesore të Europës, që numëron plus 10 gola dhe asiste.

Më pas, golin e tretë, e shënoi sërish Scot McTominay. Mesfushori, ka shkuar kësisoj në kuotën e 8 golave këtë sezon në kampionat. Thënë ndryshe, skoçezi po përjeton edicionin e tij më produktiv të karrierës së deritanishme në aspektin personal, sepse asnjëherë më parë nuk kishte mundur të shënonte dot kaq shumë brenda një sezoni. Ndërkohë që deri në fund kanë mbetur ende edhe 6 ndeshje të tjera për të luajtur, McTominay, ka mundësi të shënojë të tjera gola, duke e thelluar akoma edhe më tepër rekordin e tij personal.

Falë kësaj fitoreje, Napoli tani është ngjitur në kuotën e 68 pikëve, 3 më pak sesa Interi i vendit të parë. Çdo javë që kalon, rrethi ngushtohet më shumë, kështu që edhe gara për titullin kampion po bëhet më emocionuese mes dy skuadrave në fjalë.

Në javën e 33, Napoli do të luajë ndaj Monzas në transfertë, kurse Empoli i vendit të parafundit, do të vizitohet nga Venezia në shtëpi.