Napoli, De Laurentiis gati të blindojë Sarrin me rishikim kontrate

Sport

Aurelio De Laurentiis

Maurizio Sarri ka patur së fundmi një vizitë surprizë nga Presidenti i klubit të Napolit Aurelio De Laurentiis. Shtypi italian thotë se Sarrit i është propozuar një ripërtëritje kontrate dhe gjërat duket të jenë në rrugën e duhur. 59-vjecari napolitan ka në krye të skuadrës që prej qershorit të vitit 2015-të. Kontrata aktuale parashikon një qëndrim në San Paolo deri në vitin 2020-të dhe një klauzolë prej 8 milionë eurosh për prishjen e saj. Së fundmi, pas ecurisë së shkëlqyer të këtij sezoni në Serie-A, ka pasur spekulime se Sarri është në konsideratë nga drejtuesit e Chelsea-it, në rast të një largimi të Antonio Contes. Pikërisht për të parandaluar një plan të tillë, De Laurentiis thuhet se është i gatshëm t’i ofrojë Sarrit një rishikim kontrate me një pagë më të mirë, në këmbim të heqjes së klauzolës. Sportmediaset shkruan se në tavolinë Sarri do të ketë 2.5 ose 3 milionë euro në sezon, dyfishin e pagës që merr aktualisht dhe plus kësaj edhe një vit shtesë, pra deri në vitin 2021, në këmbim ai duhet të pranojë heqjen e klauzolës. Palët thuhet se janë takuar në kushte jo-zyrtare, pra në shtëpinë e vetë trajnerit 59-vjecar. Gjërat pritet të marrin lëvizje të mëtejshme, po kështu edhe në merkato. Së fundmi është angazhuar 22-vjecari Zinedine Machach ndërsa gjërat janë pranë konkretizimit për Simone Verdin e Bolognas. Lista Sarri për merkaton parashikon edhe emrat e Deulofeut dhe Politanos.