Napoli cakton të ardhmen e Hysaj!

Sport

elseid hysaj jj
Elseid Hysaj ishte ndër më të përfolurit në merkaton e janarit. U përmendën shumë skuadra, por mesa duket ishte Çelsin që pati më tepër interes për të marrë shërbimet e tij. Vetë drejtuesit e Napolit nuk ishin të gatshëm ta linin për një shumë më pak se 50 milionë euro që është edhe klauzola e futbollistit. E si përfundim, lojtari shqiptar mbeti në “San Paolo”, aty ku gjithsesi tashmë nuk e ka më vendin e sigurtë. Sipas asaj që raportohet nga mediat italiane, tashmë planet duket se kanë ndryshuar dhe Napoli është dorëzuar, duke planifikuar shitjen e Hysajt në fund të këtij sezoni. Jo më kot mësohet se janë ndërprerë edhe bisedimet për rinovimin e kontratës së anësorit shkodran. Megjithatë, drejtuesit napoletanë duket nuk kanë ndërmend ta lëshojnë shqiptarin, pa marrë një ofertë prej të paktën 30-35 milionë eurosh. Kjo është shuma që duan të përfitojnë nga ikja e tij.

elseid hysaj
Ndërkaq, largimi i Marek Hamshik në drejtim të Kinës, duket se i ka hapur rrugë edhe shumë largimeve të tjera nga napolitanët, pasi për sezonin tjetër do të synohet që të ndërtohet një skuadër, në gjendje për të konkurruar denjësisht për titullin kampion në Serinë A. Në këtë prizëm përfliten shitjet e mundshme edhe për lojtarë të tjerë, të cilët kanë disa vite që aktivizohen me Napolin. Edhe Dris Mertens kërkohet në Kinë, ashtu si Hamshik. E nuk përjashtohet që mund t’i japë lamtumirën Napolit, kundrejt rreth 30 milionë eurove. Gjithashtu edhe Jose Kajellon është një nga shitjet e mundshme të klubit napoletan, që nga sezoni i ardhshëm mund të pësojë revolucion total. Gjithmonë, me objektivin për të ndërtuar një skuadër që do të jetë në gjendje të sfidojë denjësisht Juventusin.