Napoli “blindon” yllin e skuadrës, Kvicha Kvaratskhelia. Në sezonin e tij të parë në nivele të larta, gjeorgjani i befasoi të gjithë. Në 43 ndeshje të luajtura përgjatë 2022/23-shit, anësori i sulmit shënoi 14 gola dhe shërbeu 17 asiste për shokët e skuadrës.
Pikërisht këto shifra, tërhoqën vëmendjen e klubeve me peshë të kontinentit. Napoli sigurisht që e kuptoi këtë gjë. Për këtë arsye, presidenti Aurelio De Laurentis, ka nisur të “lëvizë gurët”, vetëm e vetëm që Kvara të mos largohet nga “Diego Armando Maradona”, pasi për numrin një të klubit, Kvaratskhelia është i paprekshëm.
Mediat italiane raportojnë se kampionët e Serie A, kanë gati një rinovim të kontratës për talentin mëngjarash. Marrëveshja aktuale e sulmuesit ësthtë e vlefshme deri në 2027-tën, por klubi nga Jugu i Italisë, pritet t’i propozojë lojtarit një rinovim edhe për një tjetër vit më tepër, deri në 2028-tën. Sigurisht që në brendësi të marrëveshjës së re, do të ketë edhe një dyfishim të termave financiarë.
Pas firmës së re, Kvaratskhelia do të përfitojë deri në 3 mln euro në sezon, nga 1.5 që përfiton aktualisht. Nga ana e lojtarit nuk pritet të ketë kundërshtime, kështu që e zeza mbi të bardhë mund të zyrtarizohet së shpejti.
Vetë ylli gjeorgjan është shprehur se dëshira e tij është të vazhdojë të luajë në “Diego Armando Maradona” dhe të korrë të tjera suksese me skuadrën e Napolit.