Napoli nuk fiton dot për të dytën ndeshje radhazi në Serie A. Në javën e 24 të kampionatit italian, skuadra e Antonio Contes barazoi 1-1 në shtëpi me Udinesen. Ndonëse në letër, konsiderohej një ndeshje më e lehtë, fusha e lojës tregoi tjetër gjë. Të kaltërit kaluan të parët në avantazh me anë të Scot McTomminay. Skocezi është lojtari i vetëm i Napolit këtë sezon, i cili ka shënuar gol me kokë, me këmbën e majtë dhe me të djathtën. Madje, ai është gjithashtu edhe mesfushori i vetëm në Serie A që e ka bërë diçka të tillë, duke konfirmuar edhe një herë tjetër rëndësinë e tij në formacionin napoletan.
Megjithatë, nga goli i McTomminay në minutën e 37, do të kalonin vetëm 180 sekonda dhe Udinese do të rikthente menjëherë barazimin e ndeshjes, me anë të Ekkelenkamp. Që prej atij momenti, rezultati do të mbetej i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.
Në rrethana të tilla, ekipi i Antonio Contes mori vetëm një pikë, ndërsa tekniku italian, nuk e shikon këtë ndalesë si një mundësi e shpërdoruar për t’u shkëputur ndaj Interit, por si një mundësi e humbur për Europën. Pra, për Conten, objektivi parësor i Napolit këtë sezon është kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm dhe jo titulli kampion. Ekipi i Contes ka shkuar në kuotën e 55 pikëve në vendin e parë, ndjekur nga Interi në vendin e dytë.
Në ndeshjen e radhës, kryesuesit e Serie A, do të luajnë me Lazion në transfertë, kurse Udinese, që klazifikohet e 10-ta, do të presë Empolin në shtëpi.