Napoli nuk përfiton dot nga hapi fals i Interit. Në ndeshjen e fundit të javës së 31 të Serie A, Napoli vizitoi Bolognan, me këtë të fundit, që vinte nga një seri shumë pozitive rezultatesh, pas plot 6 fitoresh radhazi mes kampionatit dhe Kupës.
Por, duke qenë se kjo ishte një mundësi e përkryer për Napolin që t’i afrohej më tepër Interit në renditje, në sfidën për vendin e parë, të kaltërit nuk arritën të fitonin dotl. Në Dall’Ara përfundoi 1-1. Të parët që kaluan në avantazh ishin pikërisht miqtë, në minutën e 18 me antë të mesfushorit Frank. Anguissa. E pikërisht, falë Frank Anguissa dhe Scott McTominay, Napoli është skuadra e vetme në Serie A, që dy qendërmesfushorë, kanë shënuar të paktën nga 5 gola. Më tej, ekipi i Antonio Contes e ruajti epërsinë deri në minutën e 64, sepse u ndëshkua nga Dan Ndoye. Pas një momenti të tillë, nuk pati më gola të tjerë dhe të dyja skuadrat morën nga vetëm një pikë.
Pikë që në fakt, për Bolognan lexohet si me më shumë vlerë, për shkak se luajti ndaj një skuadre pretendente për titullin kampion dhe doli e pamposhtur. Por, mbi të gjitha, ekipi i drejtuar nga Vinçenzo Italiano mbetet në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit, vend që të garanton pjesëmarrjen në Champions League.
Nga ana tjetër, ky ishte barazimi i tretë për Napolin në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit. Jugorët e Italisë kanë 65 pikë dhe mbeten në vendin e dytë, 3 më pak sesa Interi kryesues.
Sidoqoftë, kur deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 7 ndeshje për të luajtur, gara për titullin kampion, parashikohet të bëhet mjaft emocionuese.