Nani zbulon se çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes së United pasi humbi një penallti

Sport

Emri i plotë i tij është Luis Carlos Almeida da Cunha, por e gjithë bota e futbollit e njeh si Nani, futbollisti premtues i Manchester United, i cili supozohej të pasonte trashëgiminë e Cristiano Ronaldos. Nani konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar të brezit të tij, por dëmtimet e shpeshta nuk e lejuan portugezin të kishte karrierën që të gjithë prisnin tek ‘djajtë e kuq’, në kohë që ekipi drejtohet ende nga Sir Alex Ferguson. Së fundmi, lojtari aktual i Orlandos ka zbuluar një prapaskenë interesante në dhomat e zhveshjes së klubit anglez në vitin 2010, gjatë një sfide ndaj Fulham. Nani tregon se ndeshja po shkonte shumë mirë për ‘djajtë e kuq’ dhe vetë portugezi ishte në një formë të shkëlqyer. Gjatë takimit, United fiton një penallti dhe të besuarit e Ferguson kishin shansin për të çuar në 3-1 rezultatin e sfidës. Mirëpo, goditësi i përzgjedhur i penalltive nga trajneri skocez, Ryan Giggs, pa që Nani të merrte vetë përsipër 11-metërshin, duke e justifikuar me besimin e madh që kishte fituar gjatë takimit. Uellsiani nuk protestoi, por Nani do të gabonte në ekzekutim. Portugezi zbulon se kur shkuan në dhomat e zhveshjes, Ferguson ishte më shumë se i tërbuar me të dhe Giggs.

“Ferguson për pak sa nuk më vrau. Më thoshte se me çfarë të drejte kisha marrë përsipër penalltinë, kur ai e ka caktuar njëherë e mirë se cili është lojtari që do t’i ekzekutonte. Më pas, iu kthye Giggs-it, duke i thënë se po ti ku dreqin ishe që e lejove Nani të godiste.”

Portugezi shtoi se asnjë nga lojtarët e tjerë të ekipit nuk mori guximin të reagonte dhe Ferguson e bëri të qartë se diçka e tillë nuk duhej të përsëritej më. Nani e mbylli duke thënë se pavarësisht se ndonjëherë kishte frikë nga Ferguson, ai e shihte skocezin tamam si një baba që e kritikonte sa herë që ai gabonte. Luis Nani luajti plot 230 ndeshje me fanellën e Manchester United, me 40 gola dhe 73 asiste të realizuara prej tij, derisa në verën e 2015-ës, pas 8 vitesh tek ‘djajtë e kuq’, u largua për t’u transferuar tek Fenerbahçe në Turqi.