Paraqitjet e bëra nga sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi vazhdojnë të japin efekt. Aq sa mësohet se edhe shefi i skautëve të Tottenhamit, që ishte i pranishëm të martën për ta shikuar përballë Anglisë, ka mbetur i mahnitur. 25-vjeçari që aktivizohet me Fenerbahcen në Turqi, shënoi gol nga pika e bardhë dhe dhuroi dy asiste në atë humbje 5-3 që pësoi Kosova në “St Mary’s Stadium”, pasi disa ditë më parë pati realizuar edhe kundër Cekisë. Kaq ka mjaftuar që të lërë përshtypje të mira te shefi i skoutëve të Tottenhamit, Steve Hitchen. Konkretisht, sipas asaj që raportohet te gazeta turke “Fanatik”, Tottenhami do të vazhdojë ta vëzhgojë numrin 9 të Fenerbahçes, pasi skauti i “Spurs” ka dalë me mbresa pozitive nga ndeshja eliminatore e “Euro 2020” mes Anglisë dhe Kosovës.
Pas largimit të Fernando Llorente mund të thuhet se Harry Kane ka mbetur pa konkurrencë në skuadrën e Tottenhamit. Prandaj, trajneri Mauricio Pochettino duket se është në kërkim të një zëvendësuesi të denjë për qendërsulmuesin. Identikiti që kërkohet duket se përshtatet me tiparet e Muriqit, i cili në vitin 2019 ka qenë në formë mbresëlënëse duke shënuar 12 gola në 13 paraqitjet e tij të fundit në Superligën turke për ish-skuadrën e tij Rizespor dhe për atë aktualen, Fenerbahçe.
Sulmuesi u transferua këtë verë për 3 milionë euro, por klubi gjigant turk po punon për të vendosur një klauzolë shumë të lartë në mënyrë që të frenojë skuadrat e interesuara. Në bazë të asaj që kanë shkruar mediat turke, shifra e klauzolës mund të jetë rreth 50 milionë euro. Fenerbahce fillimisht synon blindimin e lojtarëit me rinovimin e kontratës, e më pas vendosjen e klauzolës. Ndërkohë, në garë për të, veç Tottenhemit, raportohet se janë edhe Atletico e Madridit, Napoli, Lacio apo edhe Fiorentina.