MURIQI, NDER LOJTARET ME EFEKTIVE NE 5 LIGAT EVROPIANE

Sport

Jo gjithmonë futbollistët shqiptarë ia kanë dalë të bëjnë diferencën nëpër kampionatet elitare ku luajnë. Mirëpo sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, duket se po lë gjurmë dhe është një rast ndoshta i paprecedentë sa i takon parametrave sportivë. Kur bëhet fjalë për statistikat, emri i tij mund të thuhet se spikat në këtë sezon, nëpër top-5 ligat më të mëdha të Europës. Në fakt është e dukshme që bomberi dardan është duke e kaluar një sezon përrallor në La Liga, përkundër faktit se në vitin 2023 ka shënuar fare pak gola, saktësisht 3.

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, më konkretisht ka shënuar 10 herë deri tani në kampionatin spanjoll, duke rivalizuar yjet e ligës spanjolle, si Robert Levandovski me 17 dhe Karim Benzema me 14, të cilët janë favoritë për të fituar Këpucën e Artë në Spanjë. Mirëpo jo vetëm kaq… forma e mirë dhe statistikat brilante i lejojnë prizrenasit të sfidojë edhe yjet e futbollit botëror si Lionel Mesi, Nejmar,  Kevin De Bryjn apo disa të tjerë. Në fakt, “BeSoccer” e ka analizuar rrjedhën e lojtarëve në futbollin evropian, duke nxjerrë përfundime tepër kurioze. Saktësisht, Muriqi përfshihet edhe mes atyre lojtarëve që kanë më shumë ndeshje brenda këtij sezoni, duke shënuar gol e duke shërbyer asiste. Kështu, dyshja e PSG-së, Mesi e Nejmar dhe lojtari i Napolit, Kvicha Kvaratskhelia kanë shënuar dhe asistuar njëkohësisht në pesë ndeshje në këtë edicion, në kampionatet përkatëse. Kurse kosovari Muriqi, së bashku me yjet si De Bryjn dhe Rafael Leao, kanë shënuar dhe asistuar në tri ndeshje gjatë këtij sezoni. Pra, ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lacios mund të thuhet se e sheh veten gjithmonë e më shumë, në mesin e yjeve të futbollit të kontinentit të vjetër, si asnjëherë më parë.