Muriqi, “Hakan Shukuri” i ri në orbitën e Gallatës

Sport

resized 12253-ac58arna

 

Shpresat e Kosovës dhe Shqipërisë e patën në gjirin e tyre për disa kohë. Por prej 2013-s e kanë harruar. Tani, Vedat Muriqi, i njohur në futbollin shqiptar edhe për aktivizimet te Teutës dhe Besa e Kavajës, duket i prirur të pranojë të luajë për Përfaqësuesen e Turqisë, që mund t’i japë edhe shansin e Europianit. Si fillim është ftuar nga Kombëtarja U-21 turke, teksa shumë shpejt pritet të veshë fanellën e Kombëtares së madhe të fqinjëve tanë. Gjithçka e ka treguar vetë 21-vjeçari për “Tribuna Channel”, ku ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer nga përbuzja e përfaqësueseve shqiptare. Sulmuesi nga Prizreni , i gjatë 1.94 m, prej më shumë se një viti luan me Giresunspor të Ligës së Dytë të Turqisë. Aty ku edhe si pasojë e 9 golave të shënuar në 15 takime, e konsiderojnë si Hakan Shukuri i ri, edhe si pasojë e rrënjëve shqiptare që ka ish-sulmuesi turk. Për kosovarin, që ka shënuar më shumë gola nëpër kampionatet evropiane të këtij sezoni, së fundi është ndezur interesimi nga klube të mëdha të Turqisë si Gallatasaraj, Fenerbahce e Beshiktash.

“Para dy muajsh jam pajisur me pasaportën e Turqisë. Ditë më parë jam kontaktuar nga trajneri i U-21 Abdullah Ercan i cili më ka thënë se do të më ftojë për ndeshjen kualifikuese të muajit mars”, – ka treguar sulmuesi. Ndër të tjera, ai ka rrëfyer se çfarë bisedoi me Fatih Terim, i cili kishte dërguar vëzhgues për ta parë në 3 ndeshjet e fundit, duke mbetur të kënaqur me paraqitjet e tij. “Ai më rekomandoi të shkoj së pari te U-21, por më ka thënë se shumë shpejt mund të më ftojë në Kombëtaren A”, shtoi shtatëlarti Muriqi, sipas të cilit Terim mund ta ftojë edhe në ‘EURO 2016′, pasi ka mungesa të mëdha në repartin e sulmit.