Debutim më të bukur nuk mund të kishte për Vedat Muriqin me fanelën e Fenerbahces në Superligën turke. Ish-futbollisti i Teutës dhe Besës ishte autor i njërit prej 5 golave të fitores së thellë që regjistroi të hënën skuadra e tij kundër Gaziantepit. Një gol për t’u shikuar e rishikuar disa herë….
Muriqi, në këtë mënyrë përjetoi një start fantazik bashkë me skuadrën e udhëhequr nga trajneri Ersun Yana, që kryeson tashmë kampionatin turk, i cili vjen ekskluzivisht në kanalet Tring Sport. Pas ndeshjes, vetë shtatlarti u shpreh i kënaqur me paraqitjen. “Jam shumë i lumtur me fitoren sepse ishte shumë e rëndësishme për ne. Edhe pse kundërshtari ndoshta nuk ka qenë shumë i fortë, për tifozët tani ishte me rëndësi të shijon një natë kaq të bukur. Pavarësisht kundërshtarit në javën e parë, rezultati dhe paraqitja duhet të bëjnë të ndihen mirë fansat. Jam shumë i lumtur. E njoh mirë Emren, ai bëri një pasim shumë të mirë dhe shpresoj që do të kem më shumë topa të tillë në ndeshjet e ardhshme” deklaroi Muriqi, i cili ka thënë se shpreson të shënojë shumë gola përgjatë sezonit. Ndër të tjera, sulmuesi i Kosovës ishte edhe ndër lojtarët më të vlerësuar me notën më të lartë (8.4) në këtë ndeshje të parë të kampionatit turk. 25-vjeçari u transferua nga Rizespori te Fenerbahçe gjatë merkatos verore, megjithëse në garë për të ishin edhe shumë skuadra të tjera.