Muriqi do “kokën” e Galatasarait, edhe Juve do ta vëzhgoj

Sport

Vedat Muriqi është duke kaluar në formën më të mirë të karrierës së tij me fanelën e klubit turk, Fenerbahce. Prej transferimit të tij, te gjiganti turk, kosovari është shndërruar në një ndër futbollistët kryesor të skuadrës, duke qenë autor i 3 golave dhe 1 asisti në 5 javë. Sulmuesi gjeti rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen e fundit, ku Fenerbahce fitoi 2:1. Megjithatë, vetë Muriqi ka pranuar se më të rëndësishme sesa golat e tij, janë pikët për skuadrën. “Nuk ka rëndësi nëse shënoj gol, apo jap asist. Me e rëndësishme është që të kemi sukses si ekip. Jam i lumtur për golin e realizuar. Kemi marrë tre pikë të mëdha, para derbit të shumëpritur me Galatasaray”, tha Muriqi. Tashmë ai ka vendosur në shënjestër kampionët turq, skuadër e cila ishte në garë për nënshkrimin e tij në verë. “Do të doja të realizoja gol edhe në ndeshjen më të madhe në Turqi. Por, thashë më parë se puna në ekip është më e rëndësishme”, vazhdoi sulmuesi.


Në adresë të prizrenasit ka pasur interesim prej skuadrave të mëdha si Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid, Lazio, Napoli apo Fiorentina. Por ndeshja e javës së gjashtë të Superligës së Turqisë ndërmjet Galatasarayt dhe Fenerbahçes do të ketë një rëndësi të dyfishtë për sulmuesin e Kosovës. Përveçse do të jetë derbi i parë i Stambollit për të, Muriqi thuhet se do të jetë edhe nën vëzhgim të skautëve të skuadrës kampione të Italisë, Juventus. Këtë të paktën ka bërë të ditur gazeta turke “Hurriyet”. Gjithsesi vetë bomberi kosovar ka pranuar se “interesimi të klubeve të mëdha është normal, pas paraqitjeve të mira”. Por, aktualisht ai është i fokusuar te Fenerbahce, pasi dëshiron të bëjë histori me këtë klub. Ndërsa të ardhmes nuk i dihet…