Mëdyshjet dhe fjalët e kota mbi të ardhmen e Vedat Muriqit kanë marrë fund. Megjithëse u fol shumë për transferimin te Gallatasaraj – me të cilin Rizespori nuk gjeti dot gjuhën e përbashkët -, sulmuesi kosovar është prezantuar në mënyrë zyrtare te skuadra e Fenerbahces. Klubi i njohur turk e ka bërë zyrtare gjithcka, përmes një videoje teksa e ka cilësuar këtë transferim si të madh.
E të thuash që vetëm pak ditë më parë, Muriqi pati njoftuar në rrjetet sociale se do të qëndronte te Rizespor, madje i kreu edhe testet mjekësore. Por ja që si përfudim merkato rezervon surpriza dhe duket se ka qenë skuadra e vendit të gjashtë në kampionatin e fundit që arriti të bindër Rizesporin për ta marrë. Sipas mediave turke, mësohet se për sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës, Fenerbahce do t’i paguajë Rizesporit 6 milionë euro, mirëpo në marrëveshjen e arritur, pagesa do të kryhet për katër vitet e ardhshme me nga 1.5 milion euro. Në operacion do të përfshihet edhe katër futbollistë të rinj, që besohet se do të jenë në formë huazimi për sezonin 2019/20.
Ndërkohë është zbuluar se vetë Muriqi do të fitojë një pagë prej 2.2 milionë eurosh në sezon, por që në varësi të bonuseve mund të shkojë duke u rritur. Gjithashtu nga kjo lëvizje do të përfitojë një përqindje edhe Liria e Prizërenit. Saktësisht bëhet fjalë për 300 mijë euro, përderisa në rregulloren e FIFA-s thuhet se skuadra që e ka pasur lojtarin në akademia shpërblehet me 5 për qind të shumës së transferimit. Klubi prizrenas i gëzohet këtij lajmi, por edhe që ka arritur të nxjerr nga akademia një lojtar të talentuar si Muriqi, të cilin e pati në pronësi deri në vitin 2013, për ta kaluar më pas te Teuta. Sezonin e kaluar Muriqi shkëlqeu me 17 gola dhe 8 asistime në Superligën e Turqisë.