Mposhti disa konkurentë, Mohamed Salah fiton çmimin e madh individual

Sport

Mohamed Salah shpallet lojtari më i mirë i vitit në Premier League. Këtë çmim, që jepet nga Shoqata e Futbollistëe Profesionistë në Angli, Salah e fitoi pas një sezoni të jashtëzakonshëm në kampionat në aspektin individual me skuadrën e Liverpool.

Në 35 takime të luajtura, egjiptiani realizoi 23 gola dhe 14 asist. Shifra këto që e bënë atë golashënuesin dhe asistuesin më të mirë të edicionit 2021/22.

Për t’u shpallur fitues, Salah ka marrë votat e futbollistëve aktivë dhe atyre ish-profesionistë. Këtë garë, sulmuesi e fitoi duke mposhtur konkurentin më të fortë, Kevin De Bruyne. Po ashtu, pjesë e listës ishin edhe shokët e tij të skuadrës, Virgil Van Dijk, së bashku me Sadio Mane. Të nominuar gjithashtu ishin edhe Cristiano Ronaldo me Harry Kane.

Në fakt, një trofe i tillë, është I dyti që Salah ka fituar në Premier League përgjatë këtyre 5 viteve, duke u ngjitur në të njëjtin podium me Cristiano Ronaldon, De Bruyne, Mark Hughes, Alan Shearer dhe Thierry Henry.

“Për mua është një nder I madh që të fitoj këtë trofe, kështu që jam shumë i lumtur. Kjo do të thotë se puna e palodhur është shpërblyer”, ka thënë ndër të tjera 29 vjeçari pas këtij kurorëzimi.

Kontrata e Salah me Liverpool përfundon në fund të sezonit tjetër dhe për këtë arsye e ardhmja e tij është diskutuar jo pak. Megjithatë, vetë lojtari është shprehur I bindur se do vazhdojë të luajë për The Reds, duke dhënë një sinjal pozitiv se dëshiron të rinovojë dhe në vazhdimësi të luajë të kuqtë e Merseyside.