Superkupa e Anglisë i takon Arsenalit. Në Wembley, Gunners triumfuan 4-1 me penallti ndaj Manchester Cityt, për të siguruar në këtë mënyrë, Superkupën e tyre të 17-të në historinë e klubit.
Pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1, ekip iu drejtuan pikës së bardhë, atje ku djemtë e drejtuar nga Mikel Arteta u treguan 100% të saktë, ndryshe nga ata të Pep Guardiolës, të cilët ndoshta, nuk janë ftilluar ende nga festa e madhe në fund të edicionit të kaluar, ku fituan tripletë, kampionat, kupë dhe Champions League.
Kjo fitore, shënoi gjithashtu edhe mbylljen e një ecurie negative të Arsenalit përballë Manchester Cityt. Në 3 vitet e fundit, Gunners, nuk kishin arritur asnjë fitore përballë Cityzens.
Pasi kishte përfunduar edhe festa e titullit, Mikel Arteta u shpreh për mediat se ndihet i lumtur, që skuadra e tij arriti të fitonte përballe ekipit më të mirë në botë.
“Fituam ndaj më të mirëve në botë dhe ndjesia është e mrekullueshme. Për më tepër, mënyra sesi triumfuam, na jep më tepër kurajo për vazhdimësinë”, është shprehur takticieni spanjoll.
Më tej, i pyetur, nëse ky trofe, do të shërbejë si një motivim për Arsenalin për sezonin 2023/24, Arteta është përpjekur të tregohet modest, duke thënë se më e rëndësishme është përkushtimi çdo ditë në stërvitje, pa menduar për një synim afatgjatë.
Në sezonin e kaluar, Arsenali e humbi titullin kampion përballë Manchester Cityt dhe suksesi në Superkupë, mund të ngushëllojë disi zhgënjimin e pësuar nga Gunners dhe tifozët e tyre disa muaj më parë. Teksa edicioni i ri po troket, Arsenali po bëhet gati që të provojë sërish.