Mposhtet Atalanta, fitojnë Bayerni dhe Benfica

Sport

Nuk ka shkuar aspak mirë ndeshja e parë e play-offit në Champions League për Atalantën. Skuadra bergamaske u mposht 2-1 nga Club Brugge në transfertë. Belgët, vinin si inferiorë në këtë takim, ia dolën të konkuronin denjësisht ndaj një kundërshtari mjaft të komplikuar. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 15 me anë të Jutglas, ndërsa Atalanta arriti të përgjigjej me Pasaliç 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt të pjesës së parë.

Kur u duke se gjithçka do të mbyllej në barazim, Club Brugge fitoi një penallti shumë të diskutueshme në fundin e ndeshjes dhe në minutën e 94, Nilsson u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë fitoren ekipit vendas.

Në këtë mënyrë, të Martën e 18 Shkurtit, belgët do të udhëtojnë drejt Bergamos me një gol në epërsi dhe do të përpiqen të ruajnë avantazhin. Dueli është mjaft i hapur dhe mbetet për t’u parë se cila prej skuadrave do të kualifikohet në 1/8-tat e Champions League.

Më tej, në mbrëmjen e dytë të fazës play-off, Bayern Munich ka fituar me rezultatin 2-1 në fushën e Celtic, falë golave të Olise dhe Harry Kane, kurse për skocezët, ai që ngushtoi diferencën ishte Maeda në 10 minutëshin e fundit të takimit.

Bavarezët janë kthyer në shtëpi me një fitore të ngushtë, teksa në ndeshjen e dytë, parashikohet ta kenë situatën më të thjeshtë dhe ata konsiderohen favotritët absolutë të këtij çifti për të shkuar në 1/8-tat.

Fitore në ndeshjen e parë të Play-off mori edhe Benfica, që në transfertë, mposhti 1-0 skuadrën e Monacos. Golin e vetëm të takimit, e shënoi Vangjelis Pavlidis, vetëm 3 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Në këtë mënyrë, shqiponjat i kanë dhënë një mundësi vetes, që me anë të këtij avantazhi ta kenë situatën më të lehtë në ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohen mes 16 skuadrave më të mira të Europës.