Hoze Murinjo gjithmonë dhuron spektakël kur i duhet të flasë për punën që bën. Trajneri portugez, tashmë në rolin e komentatorit, ka treguar disa episode të karrierës së tij për “BEIN Sports”. Ndërkohë, Hoze Murinjo tregon edhe një incident të ndodhur në vitin 2005, kur ishte trajner i Çelsit. Ai tregon se kishte qenë pranë vdekjes, kur në një ndeshje teksa ishte ndëshkuar nga UEFA me 2 ndeshje pezullim, ishte futur fshehurazi në dhomën e zhveshjeve para se vinin zyrtarët e ndeshjes.
“Në një ndeshje që isha i pezulluar, u futa në dhomën e zhveshjes që në mesditë. Ndeshja luhej në orën 7. Doja të isha aty kur lojtarët të mbërrinin. Shkova aty, askush nuk më pa, por problemi ishte si të dilja.E njihni Stjuart Benister, personi që kujdeset për uniformat te Çelsi.Ai më futi në një nga koshat e lavanderisë, një kosh i madh, prej metali. Kisha shumë pak hapësirë aty brenda, me zor merrja frymë. Stjuarti po dilte nga dhoma, por vërdallë ishin zyrtarët nga UEFA, që po pyesnin për mua, se ku mund të isha. Ai e mbylli fare koshin, dhe unë me zor po merrja frymë. Ju betohem, është diçka e vërtetë. Po vdisja. Kur erdhi më në fund, dhe hapi kutinë, e pa se isha shumë keq, dhe gati po vdisja.” – tregon Murinjo.