Vetëm në fund të këtij sezoni, Jose Mourinho do të kërkojë një klub të ri, teksa sic ka thënë ai vetë, e përjashton marrjen e drejtimit të një kombëtareje. Deri atëherë, trajneri portugez mund t’i dedikohet vëzhgimit dhe analizave mbi botën e futbollit. Duke mos kursyer edhe ndonjë parashikim, si për shembull, mbi finalen e Champions League-s. Fundja, bëhet fjalë për një kompeticion që e njeh mirë, përderisa e ka fituar 2 herë. Madje ia di mirë vështirësitë e sekretet. Sa i takon dy skuadrave që në këtë edicion mund të shkojnë deri në finalen e 1 qershorit, ai sheh si më të afta pikërisht Juventusin dhe Barcelonën.
Sipas Mourinhos, “këto dy ekipe janë kandidatet e mëdha për të fituar Champions League-n e këtij viti”. Megjithëse, sipas tij, nuk duhen nënvlerësuar as skuadrat angleze, apo edhe Ajaksi e Porto. “Të gjithë flasin për Ronaldon dhe Messin, por unë preferoj të flas për Juventusin dhe Barcelonën si skuadrat më të mundshme për të fituar këtë trofe”, ka deklaruar “Special One” për France Press. Duke vijuar në analizën e tij, portugezi 56-vjeçar është shprehur se “futbolli mbetet një sport skuadre dhe Juventus e Barcelona kanë përvojë, talent e secila nga një lojtar special. Për mendimin tim, aty ku luajnë këta futbollistë specialë, skuadrat bëhen gjithmonë më të mirat”, deklaroi portugezi.
Natyrisht, Mou nuk ka asnjë dëshirë të mjaftohet vetëm duke qenë spektator. Prandaj ka përfituar për të bërë një apel personal, me sytë nga sezoni i ardhshëm: “Shpresoj të rikthehem sa më shpejt që edhe unë të luftoj për Champions. Por ndonjëherë, kur je jashtë një kompeticioni të tillë, duhet të mësosh të fitosh gjëra të tjera… Kur mbërrita te Manchesteri në 2016-n, nuk ishim në Champions dhe m’u desh të fitoja Europa League. Do të ishte spektakolare të fitoja një trofe të tretë të Champions League. Por edhe nëse do të fitojë një Europa League tjetër, nuk do të ishte keq…”, përfundoi Mourinho.