Nuk ka asnjë shans që Jose Mourinho të largohet nga Chelsea, kështu të paktën sipas agjentit të portugezit, Jose Mendes. Sipas Mendes Roman Abramovich nuk do ta shkarkojë 52-vjeçarin pasi nuk ka ku të gjejë një trajner më të mirë sesa ai. Agjenti i të ashtuquajturit “The Special One” tha se Mourinho ka mbështetjen e të gjithë skuadrës dhe nëse ai shkarkohet atëherë Presidenti i klubit do të ketë të bëjë me një grup të pa-kënaqurish në radhët e skuadrës së tij.
Në Champions League, të mërkurën, Chelsea shënoi një fitore lehtësuese për situatën që po kalon në kampionat, ku deri më tani ka humbur 6 herë dhe mban vendin e 15-të me vetëm 11-pikë. Por Mendes mendon se trajneri i “Bluve të Londrës” do t’ia dalë t’i rikthehet suksesit, pasi është i vetmi që i ka aftësitë për t’i bërë ballë edhe gjendjes së këtij sezoni. Agjenti i Mourinhos tha se portugezi nuk ka pse t’i provojë askutj asgjë, pasi karriera e tij flet vetë dhe pikërisht për këtë arsye, duhet që të mbështetet më shumë.
Gjithsesi gjithçka do të shihet në fundjavë, ku Chelsea luan sërish me Stoke City-in, skuadrën e cila e skualifikoi nga Kupa e Ligës.