Që prej dhjetorit të kaluar, Jose Mourinho ka qëndruar i qetë larg fushave të futbollit. Pas shkarkimit nga Manchester United, tekniku portugez vendosi të merrte disa pushime, ndërsa në verë, Mourinho u shpreh se ishte gati për të nisur një aventurë të re, tek një klub që ka një projekt të rëndësishëm. U përfol shumë se portugezi mund të rikthehet nën drejtimin e Real Madrid, mundësi e cila qëndron ende, duke parë problemet që ka hasur Zidane deri më tani. Megjithatë, nga Anglia flasin me siguri se një nga mundësitë që Mourinho po e shqyrton me kujdes është edhe Tottenham.
Rezultatet e dobëta të marra së fundmi rrezikojnë postin e Mauricio Pochettinos, i cili si shumë lojtarë të ‘Spurs’, mund të pranojë largimin në kërkim të një aventure të re. Ndërsa Mourinho do të kishte shansin të ishte pjesë e një projekti ambicioz e afatgjatë. Për momentin tek Tottenham nuk flitet për një shkarkim të Pochettinos, i cili është në krye të stolit të londinezëve që nga viti 2014. Mourinho ndërkohë thuhet se i ka ende sytë nga Real Madrid, ndonëse një ofertë e majme nga Anglia mund ta bënte të qëndronte në ishulll. Për Pochettinon gjithashtu janë disa skuadra që kanë shfaqur interes, por në kontratën e tij me Tottenham, ekziston një klauzolë që do të lejonte teknikun argjentinas të largohet përpara afateve të përcaktuara, nëse në arkat e ‘Spurs’ do të paguhej një shifër prej thuajse 35 milionë eurosh.