Mourinho do shqiptarin nën urdhërat e tij

Sport

jose

Për momentin është thjesht një zë merkatoje. Por nuk thonë kot “Ku ka zë, s’është pa gjë…”. Lojtari me origjinë shqiptare i Zvicrës, Xherdan Shaqiri mund të vihet nën urdhrat e Jose Mourinhos sezonin e ardhshëm. Ish-futbollisti i Bajernit dhe Interit, që sezonin e fundit e mbylli tek Stoke City, pritet të marrë një ofertë nga “Djajtë e Kuq”, që sipas raportimeve të “The Sun” janë gati të paguajnë klauzolën 12 milionë sterlina për 26-vjeçarin. Më rënien e Stoke City-t nga Premier League, lojtari i Zvicrës, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes palëve, mund të ndërpresë kontratën kundrejt kësaj shume.Fillimisht u përfol për një interesim të Liverpoolit, por tashmë ka hyrë në garë edhe pikërisht Manchester United, që do të marrë pjesë në Champions League.

xherdan

Vetë trajneri Mourinho, që është i ftuar në Rusi për të komentuar ndeshjet e Botërorit, duket se është bindur nga paraqitja e lojtarit me origjinë kosovare. Ndonëse Zvicra nuk ia doli që ta kalonte fazën e 1/8-ave përballë Suedisë. Dëshira e Xherdan Shaqirit është që të mbetet në Premier League dhe sigurisht, nëse Mourinho do t’i bëjë ofertë konkrete, vështirë se Shaqa do t’i thotë jo, një trajneri dhe skuadre të tillë. “Dëshiroj të mbetem në Premier League dhe shumë shpejt do ta kuptoni skuadrën time të re”, ka deklaruar Shaqiri së fundmi.Gjatë sezonit të kaluar, ai u aktivizua në 36 ndeshje të Premier League me Stoke City-n duke shënuar 8 gola.