Fabio Quartararo ishte talenti që rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve në ‘MotoGP’ gjatë sezonit të kaluar. Francezi bëri paraqitje të shkëlqyera me motorin ‘Petronas Yamaha’ dhe duke filluar nga viti 2021, ai do të jetë pilot i skuadrës kryesore të Yamahas, së bashku me Maverick Vinales. 21-vjeçari do të marrë kështu vendin e legjendës së këtij sporti, Valentino Rossi, i cili nga ana e tij ende po punon për të zgjedhur se ku do të garojë në 2021-shin. Quartararo u shpreh së fundmi se kur i përmendin faktin se zuri vendin e Valentino Rossit, nuk ndjehet mirë, duke qenë se italiani është një idhull i tij. Megjithatë, për francezin, kalimi tek skuadra kryesore e Yamahas është një ‘shans i artë’, të cilin ai kërkon të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Quartararo shtoi se me këtë lëvizje, shpreson të mos ketë krijuar shumë urrejtje tek tifozët e Rossit, sidomos ata italianë, që e shohin legjendën e ‘MotoGP’ si një ikonë dhe përfaqësues unik të sportit të këtij vendi.
“Shpresoj të marrë më shumë mbështetje se sa urrejte nga tifozët italianë. Rossi është i papërsëritshëm dhe unë e di lidhjen që kanë tifozët e këtij sporti me të. Gjithësesi, për mua ky është një rast që nuk duhet ta shpërdoroj.”
Në media ka patur shumë spekulime se Rossi mund të jetë duke menduar tërheqjen, por nuk është i këtij mendimi Quartararo. Talenti francez u shpreh se Rossi është një nga ata që mund të garojë deri në moshën 65-vjeçare. Për më tepër, ai tha se ‘doktori’ është mësuar të surprizojë njerëzit sezon pas sezoni.