MotoGP, Zarco injoron Hondan, francezi pranë firmosjes me ‘KTM’-n

Sport

zarco honda

Yohann Zarco është piloti më i përfolur në bokset e MotoGP për këtë sezon, pasi ai ka vendosur prej kohësh të largohet nga skuderia “Tech3”, duke vënë në lëvizje shumë skuadra, të cilat kërkojnë shërbimet e pilotit francez.  Mirëpo siç zbulon “Motorsport.com”, Zarco thuhet të ketë zgjedhur “KTM”-n, si skuadrën e tij të ardhshme, duke injoruar në këtë mënyrë kërkesat e forta të skuadrave me peshë si Honda apo Suzuki. Një marrëveshje verbale mestij dhe drejtorit të skuderisë austriake Pit Beier është arritur gjatë fundjavës në Austin të Teksasit, për një kontratë që do ta mbajë të lidhur me “KTM”-në deri në vitin 2020. Pol Espargaro do të jetë shoku i tij i skuadrës, ndërsa Bradley Smith duket se do të jetë i sakrifikuari në këtë lëvizje.

zarco
Më herët në këtë sezon, gjatë garës së Katarit, Zarco pati shprehur dëshirën për të qenë një ditë pjesë e Hondas, mirëpo ideja e të qënit shoku i skuadrës së Marc Marquez, kampionit të botës në fuqi, duket se nuk ka qenë e lehtë për t’u përtypur nga një prej pilotëve më të mirë të momentit në “MotoGP”.
Keshtu edhe vendi i Pedrosas tek Honda duket se konsolidohet, pasi në rast zyrtarizimi të kalimit të Zarco tek “KTM”-ja, atëherë spanjollit 32-vjeçar do t’i ofrohet rinovimi i kontratës nga ana e skuderisë japoneze.