Edhe këtë sezon të MotoGP, Yamaha po dështon të tregoi forcën e saj e të konkurojë ndaj skuderive të tjera si Honda, Ducati apo edhe Suzuki, që ka treguar një progres të madh përgjatë 2018-ës. Piloti i Yamahas, Maverick Vinales nuk fsheh zhgënjuimin e tij ndaj skuadrës dhe motorrit “M1” që ai ka në dispozicion, duke u shprehur se para startit të sezonit, atij i ishte premtuar një motor fitues. “Kur firmosa me Yamahan, skuadra më premtoi një motor fitues. Mendoj se është koha për ta realizuar këtë dhe shpresoj që tek skuadra ta kenë marrë mesazhin tim. Unë dua të garoj për të fituar, e jo për të dueluar me motorat satelitë të Ducatit.”-shprehet 23-vjeçari.
Në fundjavën italiane të “MotoGP” në Mugello, Vinales bëri mjaft mirë gjatë provave teksa regjistroi një kohë vetëm 0.96 të qindtat më të ngadaltë se shoku i tij i skuadrës, Valentino Rossi, që zuri edhe “pole-position”-in. Por gjatë garës ishte tjetër histori, pasi Vinales shpenzoi pjesën më të madhe të garës duke dueluar me Alvaro Bautistan për vendin e 8.Vinales ka edhe 1 vit kontratë me Yamahan, por nëse situata vazhdon të jetë e njëjtë, duket qartë që piloti spanjoll do të shqyrtojë mundësi të tjera për të ardhmen e tij.