MotoGP, Vinales është i lumtur me nisjen e Aprilia-s

Sport

Maverick Vinales e mbylli i dyti garën për ‘Çmimin e Madh’ të Portugalisë, duke qenë më pak se 1 sekondë prapa kampionit të botës në fuqi, Francesco Bagnaia. Piloti i Aprilia-s tregoi një ritëm mjaft të mirë përgjatë gjithë garës, duke qenë i aftë të ruante ritmin e rivalit të tij. Për spanjollin, këto janë sinjale mjaft të mira për të dhe markën italiane, që sipas Vinales mund të ketë bërë një hap tjetër përpara në krahasim me sezonin e shkuar. Ndonëse edhe përgjatë 2022-shit ai dhe shoku i tij i skuadrës, Aleix Espargaro arritën rezultate të kënaqshme, duket sikur këtë herë, gjërat mund të shkojnë edhe më mirë.

“Jam i lumtur për Aprilia-n dhe për punën e bërë nga skuadra. Gjëja më e rëndësishme ishte të shihnim nëse mund të luftonim për vendet e para dhe kjo garë mendoj se tregoi që i kemi mundësitë për diçka të tillë.”

Vinales shpreson që gjërat për të dhe markën italiane të vazhdojnë në mënyrën e nisur në Portimao, ndonëse është i vetdijshëm se ka ende disa diferenca ndaj pretendentëve të Ducati-t apo Yamaha-s. Bagnaia ia doli të ruante vendin e parë në cirkuitin e Algarves dhe Vinales zbuloi se dueli me italianin e Ducati-t mbeti në distancë, për shkak të menaxhimit të gomave. 28-vjeçari shpjegoi se rreth xhiros së 10, Bagnaia rriti disi ritmin dhe Vinales u përpoq të bënte të njëjtën gjë, por gaboi në disa momente me frenimin, që krijoi edhe distancën prej thuajse 1 sekondë mes tyre. Më pas, e gjitha kishte të bënte me menaxhimin e konsumit të gomave dhe këtu, spanjolli i dha merita të mëdha Bagnaia për mënyrën se si e pilotoi Ducati-n e tij.