Ducati duket të ketë motorin më të kompletuar në këtë sezon të ‘MotoGP’, të paktën deri më tani. Edhe pse nisja e 2022-shit për ta nuk ishte e lehtë, për shkak të gabimeve individuale të pilotëve, gjërat tani janë kthyer në drejtimin e duhur. Por në mënyrë surprizë, ai që po udhëheq në renditje nga motorët Ducati, nuk është as nga skuadra zyrtare e markës italiane dhe asaj nga ajo ‘Pramac’. Enea Bastianini i skuadrës ‘Gresini’, ka modelin e vitit të shkuar të Ducati-t, por kjo nuk e ka ndaluar për të fituar 3 gara përgjatë këtij sezoni. Emri i 24-vjeçarit tani është lidhur me një kalim tek skuadra zyrtare e Ducati-t, aty ku rrezikohet pozicioni i Jack Miller. Australiani nuk ka dhënë atë që pritej me markën italiane dhe gjasat janë që në sezonin e ardhshëm, ai të lëshojë vendin e tij, për të kaluar tek skuadra ‘Pramac’. Por veç Bastianini-t, drejtuesit e Ducati-t po marrin në konsideratë edhe Jorge Martin. Piloti spanjoll e ka nisur shumë keq sezonin aktual, por që në vitin e kaluar dha sinjale të mira se mund të jetë një pilot që lufton për titullin kampion.
Tek Ducati mendojnë se do të formonte një dyshe shumë të mirë me Francesco Bagnaia-n. Megjithatë, agjenti i Jorge Martin është parë gjatë fundjavës së ‘Çmimit të Madh’ të Francës të bisedojë me disa përfaqësues të Honda-s, ku mund të marrë vendin e Pol Espargaro. Drejtuesit e Ducati-t, më në krye Paolo Ciabatti-n, janë të bindur që kushdo që do të kërkojë të largohet drejt një marke tjetër, do ta mendojë dy herë këtë lëvizje. Sipas tij, kjo nuk vjen vetëm nga fakti që Ducati ka për momentin motorin më kompetitiv në ‘MotoGP’, por edhe sepse marka italiane është e vetmja që i jep ndihmë të vazhdueshme teknike të gjitha skuadrave që furnizohen me motorët e tyre. Sezoni gjithësesi është ende i gjatë dhe këto skenarë mund të ndryshojnë sërish, por tek Ducati besojnë se ky mund të jetë viti i duhur për t’u rikthyer tek titulli kampion në ‘MotoGP’.