Asfalti jo i përshtatshëm për të garuar është cilësuar si arsyeja kryesore pse “MotoGP” anuloi garën e Silverstone. Akuza të forta të cilat janë të përsëritura, ku më parë fjalë të ngjashme kanë ardhur nga pilotë të “Formula 1”. Mirëpo drejtori i kësaj piste, Stuart Pringle ka mohuar të gjitha akuzat, duke fajësuar motin e keq e të rënduar dhe jo kushtet e pistës së Silverstone. “Kam parë në media se është akuzuar sipërfaqja e pistës në Silverstone për anulimin e garës së ‘MotoGP’, por kjo nuk është e vërtetë. Moti i keq çoi në marrjen e atij vendimi, njësoj siç janë pezulluar edhe shumë aktivitete të tjera në Britani”.
Por Pringle nuk u ndal me kaq. Ai zbuloi se mes tij dhe Dornas, që organizon botërorin e ‘MotoGP’ pati një marrëveshje për të zhvilluar garën në një moment kur moti parashikohej të ishte më i qëndrueshëm. Megjithatë kjo marrëveshje u hodh poshtë nga pilotët, të cilët në të njëjtën kohë kishin bërë mbledhjen e tyre, ku morën dhe vendimin për të mos garuar. “Gjetëm një hapësirë kohore kur moti do të ishte më i qëndrueshëm dhe ramë dakord për të zhvilluar të treja garat, të ‘Moto3’, ‘Moto2’ dhe ‘MotoGP’. Por kjo marrëveshje nuk hyri në fuqi pasi pilotët kishin vendosur gjithësesi se nuk do të zbrisnin për të garuar”. Anulimi i garës në “MotoGP” ka shkaktuar jo pak polemika, ku mes akuzave për kushtet jo të mira të pistës, ekzistojnë edhe nga ata që e shohin si një favorizim që i bëhet Marc Marquez.