Casey Stoner do të mbahet mend për duelet e jashtëzakonshme me Valentino Rossi-n, por edhe për titujt kampion që fitoi me skuadrën Ducati në ‘MotoGP’. Piloti australian është për shumë njerëz një nga më të kompletuar që ka parë ndonjëherë bota e garave më motora, teksa tërheqja e tij nga sporti përpëra kohe, krijoi jo pak spekulime rreth gjendjes shëndetsore të Stoner. Në një intervistë të dhënë së fundmi, vetë australiani ka zbuluar se prej vitesh vuan nga gjendja e ankthit, diçka që ai nuk mendonte se ekzistonte.
“Shpesh thoja se njerëzit e përmendin gjendjen e ankthit si një mënyrë tjetër për të përshkruar stresin, por në fakt nuk është ashtu. Një gjendje të tillë e kam vuajtur prej kohësh, por thjesht nuk e dija. Më bllokon dhe më krijon ide absurde në kokë.”
Stoner tregon se nëse do ta kishte diagnostifikuar vite më parë këtë problem, atëherë ndoshta do ta kishte patur më të lehtë menaxhimin e situatë. Ai tronditi në rrëfimin e tij për 2 vitet e fundit të karrierës, ku tregoi se garë pas gare, bëhej edhe më e vështirë për të qëndruar pranë njerëzve të tjerë. Stoner zbuloi se nuk ndihej aspak i qetë mes turmave të mëdha me njerëz, qofshin tifozë, gazetarë apo pjesë të skuadrës. Madje në garat e fundit, sa më mirë të paraqitej, aq më shumë i linte dëshira për të vdekur. Kjo deklaratë është më shumë se tronditëse, por fatmirësisht, Stoner ka gjetur mbështetjen e duhur nga familja dhe miqtë e tij, por edhe nga bota e ‘MotoGP’. Stoner u shpall kampion bote në kategorinë më të rëndësishme të garave me motora në vitet 2007 e 2011, teksa edhe pas tërheqjes, ka vijuar të jetë pranë pasionit të tij, si pilot testues apo si këshilltar në skuadra të ndryshme.