Skuderia malajziane SIC Racing do të jetë pjesë e “MotoGP” nga sezoni i ardhshem. Skuadra që është në pronësi të cirkuitit të Sepangut ka arritur një marrëveshje me “Angel Nieto Team”, e njohur ndryshe si “Aspar”, për t’u shkrirë së bashku nga 2019-a. SIC Racing do të jetë skuadra satelite e Yamahas, gjë e cila ka ardhur pas kontakteve edhe me markën e njohur Petronas. Problemet e “Angel Nieto Team” apo “Marc VDS” kanë vënë në diskutim prezencën e tyre në botërorin e “MotoGP”. Kështu SIC Racing ka shfrytëzuar rastin për të bërë një hap të madh të historisë së saj. Nga viti 2014, kur edhe u krijua e deri më sot, kjo skuadër ka garuar vetëm në “Moto3” dhe “Moto2”.
Kalimi nga Ducati tek Yamaha do të jetë një ndryshim i madh për “Aspar”, që në partneritet me SIC Racing do t’i besojnë markës japoneze për sezonet e ardhshme.Sa i përket pilotëve, Alvaro Bautista shpreson të firmosë kontratën e re, që do t’i lejojë garimin në “MotoGP” të paktën edhe për 2 sezone të tjera, ndërsa e ka më të sigurt qëndrimin piloti tjetër Karel Abraham. Kurse “Marc VDS” ka zyrtarizuar për vitin e ardhshëm pilotin italian Franco Morbidelli, i cili do të bëjë hapin e madh të karrierës së tij nga “Moto2”, ku u shpall kampion vitin e kaluar, në kategorinë më spektakolare të garave me motora.