Edhe ky sezon i “MotoGP” ka qenë për t’u harruar për Yamahan, që është larg pretendimeve të saj në fillim të këtij viti. Marka japoneze mendohej se do të ishte pjesë e luftë për titull, por realiteti tregon se dy pilotët e kësaj skuadre, Rossi e Vinales, e kanë të vështirë të luftojnë qoftë edhe për podiumin. Yamaha nuk ka rendimentin e Hondas apo Ducatit në garë, nuk ka vazhdimësinë që i nevojitet për të luftuar për vendin e parë të një gare. Këtë gje e konfirmon sërish Rossi, që ndonëse aktualisht gjendet në vendin e 2 të renditjes botërore për pilotë, shprehet se në realitet nuk mund të shkojë më shumë se vendi i 4.
Veterani italian deklaroi se duke parë formën e dy motorëve Ducati, ai as nuk mund ta mendoj duelin me Lorenzon apo Dovizioson. “Per të qenë i sinqertë, mendoj se dy Ducatit do të më kalojnë. Është e pamundur të përballesh me to, janë shumë të shpejtë. Mendoj se për ne realiteti është vendi i katërt. Nuk mund të bëjmë më shumë.”-shprehet Rossi, që duket i dorëzuar edhe për këtë sezon të “MotoGP”. Diferencat mes Rossit dhe Marquez vetëm janë rritur, dhe me 8 gara ende për t’u zhvilluar, parakalimi i Ducatit duket të jetë thjesht çështje kohe. Ndërsa akoma më shumë zgjënjen Vinales, që nuk po gjen ritmin e duhur për të qenë pranë vendeve të para të renditjes.