MotoGP, Rossi dyshon se Yamahas do t’i duhet një tjetër sezon për të zgjidhur problemet

Sport

rosi
Skuadra Yamaha për momentin duket larg të qënit pretendente në MotoGP. Marka e njohur japoneze ka zhgënjyer edhe në pistën e Jerezit në Spanjë, ku rezultati më i mirë ishte vendi i pestë i Valentino Rossit. Pikërisht piloti legjendar i kësaj kategorie të garave me motorra, ka folur hapur në lidhje me problemet që e shoqërojnë skuadrën Yamaha, së cilës sipas tij mund t’i duhet edhe një sezon tjetër i çuar dëm për të gjetur zgjidhjet.

rossi2
“Të renditesh i pesti duke patur parasysh shpejtësinë që kishim përgjatë gjithë fundjavës, mund të themi se është një rezultat i mirë. Por kur thua diçka të tillë për këtë pozicion, kupton që problemet janë të mëdha.”-shprehej Rossi pas garës në Jerez.  Yamaha gjatë “Çmimit të Madh” të Spanjës vuajti kryesisht problemet në paketën elektronike, që kushtëzuan jo pak paraqitjet e Rossit apo shokut të tij të skuadrës, Maverick Vinales. Renditja në Jerez pas Ianonnes, Zarcos apo Petruccit, me dy të fundit që nuk garojnë me markat zyrtare, do të thotë shumë për Yamahan, që vijon ta shohë të pamundur duelimin me Hondan e kampionit të botës në fuqi, Marc Marquez.