Gara e Valencias mbetet një nga më emocionueset që sjell botërori i garave me motora. Në vitet e fundit, cirkuit valencian është bërë protagonist edhe në vendosjen e titullit kampion, duke qenë gara e fundit e sezonit dhe mesa duket do të vazhdojë të jetë kështu edhe për të paktën 6 vite të tjera. ‘MotoGP’ ka konfirmuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje me drejtuesit e cirkuitin të Valencias, për rinovimin e kontratës mes tyre deri në vitin 2031. Kjo siguron që elita e garave me motora do të vazhdojë të jetë prezente në cirkuitin e ‘Ricardo Tormo’, me gjasa për të vijuar si gara e fundit e kalendarit të gjatë të ‘MotoGP’.
Që nga përfundimi i punimeve në cirkuit, në 1999-ën, gara e Valencias është parë gjerësisht si një nga më të bukurat në ‘MotoGP’ e jo vetëm. Daniel Pedrosa dhe Jorge Lorenzo janë pilotët me më shumë suksese në ‘Ricardo Tormo’, me nga 4 triumfe secili. Në vitet e fundit, cirkuiti i ka shitur të gjitha biletat për garën finale të ‘MotoGP’, duke konfirmuar një interes të lartë të njerëzve, por edhe turistëve, që shkojnë të shijojnë diellin valencian dhe një nga garat më të bukura në botë. Deri në 2031-shin, ‘MotoGP’ shpreson që titulli të vijojë të vendoset pikërisht në ‘Ricardo Tormo’, që mbetet një nga pistat më ikonike të këtij botërori.
Sezonin e shkuar, për shkak të përmbytjeve dhe katastrofës natyrore që kaploi qytetin, gara në Valencia nuk u zhvillua, por u zhvendos në Barcelonë. Herën e fundit që u garua në ‘Ricardo Tormo’, Francesco Bagnaia fitonte titullin e dytë si kampion bote, duke mposhtur në 2023-shin, rivalin e tij, Jorge Martin, i cili do të përmbushte ëndrrën e tij vetëm një vit më vonë.