Fabio Quartararo është fituesi i ‘Çmimit të Madh’ të Gjermanisë në ‘MotoGP’, duke dominuar përgjatë gjithë kohës në pistën e Sachsenring. Kampioni i botës në fuqi bëri një paraqitje perfekte, në atë që mund të cilësohet si ndër garat më të mira të tij në këtë sezon. Francezi mori kryesimin e garës që në nisje dhe nuk e vuri në asnjë moment në diskutim këtë triumf, duke patur një marsh më shumë se sa gjithë pjesa tjetër e pilotëve.
Ai që mund të ishte një rival i denjë për Quartararo-n në këtë garë, Francesco Bagnaia, e pa veten jashtë gare që në nisje. Piloti italian humbi kontrollin e Ducati-t të tij në kthesën e parë, duke i dhënë një tjetër goditje edhe atyre pak shpresave të 25-vjeçarit për t’u bërë pjesë e luftës për titullin kampion. Podiumi do të plotësohej nga një tjetër francez, Johann Zarco, që bëri detyrën me motorin Ducati të skuadrës ‘Pramac’. Ndërsa vendi i tretë shkoi për australianin Jack Miller, i cili bëri një garë në ngjitje pas një nisjeje të vështirë. Miller fitoi edhe duelin me Aleix Espargaro, duke e zbritur në vendin e katërt pilotin e ‘Aprilia’-s. 10-shja e parë u plotësua nga Luca Marini, Jorge Martin, Brad Binder, Fabio Di Giannantonio, Miguel Oliveira dhe Enea Bastianini. Pas performancës dominuese në Gjermani, Quartararo e sheh veten në pozita mjaft të mira sa i përket renditjes së përgjithshme për pilotë. Kampioni i botës udhëheq me 172 pikë të grumbulluara pas 10 ndalesave të këtij sezoni. Tashmë i distancuar prej tij, ndjek Aleix Espargaro me 138 pikë. Është ngjitur në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme Johann Zarco me 111 pikë, duke zbritur më poshtë Enea Bastianini-n me 11 pikë më pak.