MotoGP, Quartararo tregon se si Marquez ndryshoi nivelin e stërvitjes së pilotëve

Sport

Fabio Quartararo do të jetë nga sezoni i ardhshëm një nga pilotët kryesorë të Yamahas, që ka vendosur t’i besojë talentit francez në luftën që kjo skuadër ka me Hondan. Edhe pse Yamaha ka ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që të kenë një motor konkurues ndaj kampionëve të botës, Quartararo është i bindur se ai dhe Vinales do të kenë të gjitha mundësitë për të rivalizuar këdo në pistë. 21-vjeçari ka folur edhe për konkurencën që sapo ka lindur mes tij dhe kampionit, Marc Marquez, pasi gjatë sezonit të shkuar, u pa shpeshherë që të dy të duelonin me njëri-tjetrin deri në metrat e fundit, ndonëse Quartararo në letër kishte një motor më inferior. Sipas të riut francez, prezenca e Marquez në ‘MotoGP’ ka bërë që të rriten ndjeshëm kërkesat dhe niveli i pilotëve. Mënyra e stërvitje së spanjollit është një nga gjërat që ka tërhequr gjithnjë vëmendje dhe Quartararo thotë se për shumë të rinj, ajo që bën Marquez shihet si një frymëzim për të kërkuar gjithnjë më shumë. Për francezin, niveli i stërvitjes ishte një nga gjërat e para që Marquez vendosi ta ndryshojë në botën e ‘MotoGP’. Por paraqitjet e kampionit të botës gjithashtu kanë komplikuar zhvillimin e të rinjve në këtë sport. Quartararo mendon se duke parë një fenomen si Marquez, i cili që në moshë të re, duke patur edhe një motor të shkëlqyer, dominon në një kategori si ‘MotoGP’, atëherë edhe skuadrat e tjera janë të prirura të rrisin kërkesat e tyre ndaj pilotëve të rinj. Kjo gjë ka bërë që shumë prej tyre të mos kenë karrierën që të gjithë shpresojnë, e për më tepër, e gjejnë veten në vështirësi për të fituar me shumë besim nga ana e skaudrave të ndryshme.