MotoGP ka nisur sezonin e ri në mënyrë më surprizë të mundshme, teksa në pistën e Jerez në Spanjës, nuk ishte Marc Marquez ai që dominoi dhe e mbylli i pari. Fabio Quartararo me ‘Petronas Yamaha’ ia doli të siguronte fitoren e parë të karrierës së tij dhe të parën për një pilot nga Franca që nga viti 1999. 21-vjeçari, i cili nga sezoni i ardhshëm do të jetë pilot i skuadrës kryesore të Yamahas, shfrytëzoi më së miri një dalje të gabuar nga kthesa të Marc Marquez, për të marrë kryesimin dhe për të mos e lëshuar deri në fund. Sa i përket Marquez, kampioni i botës në fuqi, pas atij gabimi në xhirot e para, filloi të bënte përmbysjen e tij duke kaluar motorët e tjerë njëri pas tjetrit. Por tamam atëherë kur spanjolli ia doli të arrinte tek podiumi, Marquez do të rrëzohej në mënyrë të dhunshme, duke u dëmtuar rëndë. Piloti i Hondas pësoi disa fraktura në krah, duke komplikuar situatën në këtë ‘start’ të sezonit. Sa i përket podiumit, vendi i dytë shkoi për Maverick Vinales të Yamahas, që ia doli t’i rezistonte presionit të vazhdueshëm të Andrea Dovizosos. Ky i fundit pati një duel të tijin me pilotin e ardhshëm të Ducatit, Jack Miller, i cili në fakt bëri një paraqitje shumë të mirë. Garë zhgënjyese për Valentino Rossi, Yamaha e të cilit nuk rezistoi më shumë se 18 xhiro. Nuk dha atë që pritej as vëllai i kampionit të botës në fuqi, Alex Marquez, i cili nuk e dërgoi Hondan e tij më larg se sa vendi i 12.