MotoGP, Quartararo priste më shumë nga Yamaha në testet për vitin e ardhshëm

Sport

Yamaha po kalon një nga vitet më të vështira në sezonet e fundit në ‘MotoGP’. Marka japoneze e ka patur thuajse të pamundur për të rivalizuar me italianët e Ducati-t apo Aprilia-s, teksa diferencat në pistë përgjatë 2023-shit sa vijnë e shtohen. Pas garës për ‘Çmimin e Madh’ të San Marinos, në Misano, pilotët dhe skuadrat e tyre kanë patur mundësinë të bëjnë testimet e para të motorëve të vitit të ardhshëm. Duke marrë në konsideratë disa ndryshime të thella që do të hyjnë në fuqi në 2024-ën, pritshmëritë e Fabio Quartararo-s kanë qenë të mëdha. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet në intervistën pas testeve vetë piloti francez, i cili kishte menduar një përmirësim më të dukshëm se sa ai që pa në xhirot e para me motorin e ri. Quartararo e pranoi se ka ende kohë dhe punë deri në përgatitjet finale për sezonin e ri, por në Misano, ai mendonte se do të testonte një motor më të fuqishëm, që do ta kishte ulur disi diferencën me rivalët. Këto prishtmëri ishin të larta edhe prej faktit se për motorin e ri është kujdesur edhe një nga inxhinerët e famshëm të ‘Formula 1’, Luca Marmorini. Dikur pjesë e Ferrari-t, Marmorini shihej si njeriu i duhur për të kujdesur për fuqinë e motorit të ri, mirëpo nga ajo që u pa në testet e para, Yamaha vazhdon të xhirojë me të paktën 5 km/h më ngadalë se sa Ducati, Aprilia apo madje edhe KTM. Quartararo u tregua i sinqertë përpara gazetarëve, duke u shprehur se nuk ndjeu ndonjë përmirësim të dukshëm tek motori i vitit të ardhshëm, ndryshe nga 2022-shi, kur shprehej entuziast për disa ndryshime për mirë të Yamaha-s. Këto deklarta të francezit, thjesht sa e bëjnë akoma më të zymtë situatën për markën japoneze në ‘MotoGP’. Këtë sezon, rezultati më i mirë për të ka qenë vendi i tretë në Austin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ishte ndalesa e tretë e këtij botërori, teksa në garën e fundit në Misano, nuk shkoi më larg se sa vendi i 13.