MotoGP, Quartararo pranon se është ankuar për Yamaha-n në fillimin e sezonit

Sport

Nën petkun e kampionit të botës në fuqi, Fabio Quartararo udhëheq renditjen e përgjithshme për pilotë në ‘MotoGP’ edhe në këtë sezon, me 172 pikë të grumbulluara pas 11 ndalesave të këtij botërori. Francezi nuk ia doli dot ta mbyllte garën e fundit, atë mbi pistën e Assen në Holandë, diçka që i ndodhte për herë të parë në këtë sezon. Megjithatë, Quartararo është shfaqur i lumtur me atë se çfarë ka treguar deri më tani, duke i qenë mirënjohës edhe skuadrës për punën e bërë me motorin Yamaha.

Siç vetë 23-vjeçari zbuloi, fillimi i sezonit nuk ka qenë aq i lehtë për të. Garat në Katar, Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë veçanërisht të vështira për të, aq sa kampioni i botës pranoi se ka humbur edhe qetësinë gjatë asaj periudhe. Quartararo zbuloi se nuk po ia dilte të nxirrte më të mirën e tij dhe shpesh, këtë ia faturonte motorit të tij. Ai u shpreh se është ankuar shumë herë tek drejtuesit e skuadrës Yamaha, por dalëngadalë, gjërat filluan të përmirësoheshin. Rikthimi tek garat e Europës nxorri në pah potencialin e Quartararo-s, i cili thotë se është i kënaqur me atë që ka arritur gjatë pjesës së parë të sezonit. Sa i përket problemeve që ka hasur me motorin, francezi e pranoi se duhet të ruajë më shumë qetësinë e të përqëndrohet tek pista, pasi një moment i vetëm i gjykuar gabim, mund të të kushtojë të gjithë sezonin. Quartararo ka arritur të fitojë 3 gara përgjatë 2022-shit, ato në Portugali, Barcelonë dhe Gjermani, ndërkohë që ka arritur podiumin edhe në 3 raste të tjera. Ndjekësi i tij më i afërt mbetet Aleix Espargaro, në një distancë prej 21 pikësh, teksa janë gati të përfitojnë edhe emra si Johann Zarco, Francesco Bagnaia apo Enea Bastianini.