MotoGP, Quartararo i dorëzon kreun Bagnaia-s; Rins triumfon në Philip Island

Sport

Francesco Bagnaia është njeriu për t’u mundur në ‘MotoGP’ në dy garat e fundit të këtij sezoni. Piloti italian ka marrë kreun e renditjes për pilotë pas ‘Çmimit të Madh’ të Australisë, duke përfituar nga rrëzimi i kampionit të botës në fuqi, Fabio Quartararo. Ky i fundit kryesonte renditjen për një kohë shumë të gjatë, por në Philip Island i dha ‘një asist’ rivalëve të tij, duke u rrëzuar në xhiron e 4-t. Bagnaia zhvilloi një garë shumë të mirë, duke patur edhe kryesimin në disa momente. Mirëpo, surpriza e madhe e fundjavës ishte Alex Rins. Piloti i Suzukit bëri një garë në ngjitje, duke ia dalë ta mbyllë në vendin e parë. Xhiroja e fundit pa një duel shumë të fortë mes Rins dhe Marquez, i cili në fund u kënaq vetëm me rikthimin në podium pas një kohe të gjatë, teksa e mbylli dyti. Bagnaia u rendit në vendin e tretë, por padyshim ky është një nga podiumet më të rëndësishme të karrierës së tij, pasi tani ka shansin më të mirë për ta mbyllur sezonin si kampioni i ri i botës në ‘MotoGP’. Pas tij u renditën Marco Bezzecchi, Enea Bastianini, Luca Marini, Jorge Martin, Johann Zarco, Aleix Espargaro dhe Brad Binder, që mbyllën 10-shen e parë. Espargaro nuk përfitoi nga rrëzimi i Quartararo-s, për të mbetur deri në fund një pretendent serioz për titullin, ndërsa zhgënjimi i madh i fundjavës ishte Jack Miller. Piloti australian mendohej si një favorit për të fituar garën në Philip Island, por ishte i pafat, pasi u nxorr jashtë gare nga Alex Marquez, që gaboi në frenim. Bagnaia udhëheq tashmë renditjen me 233 pikë, 14 më shumë se sa Quartararo. Aleix Espargaro mbetet i treti me 206 pikë, ndërsa Enea Bastianini numëron 191 pikë të grumbulluara. Gara e radhës do të jenë në Malajzi, ku për herë të fundit është garuar në 2019-ën. Asokohe triumfonte Yamaha me Maverick Vinales dhe fundjavën e ardhshme, pritet sërish një garë emocionuese.