MotoGP, Probleme tek Ducati, Lorenzo dhe Dovizioso sulmojnë njëri-tjetrin

Sport

Lorenzo dhe Dovizioso
Gjatë një sezoni që nuk rezultoi njësoj si pritshmëritë e tifozëve në fillim, tek Ducati tani është shtuar edhe një tjetër problem. 2 pilotët e markës italiane, Jorge Lorenzo dhe Andrea Dovizioso kanë filluar një luftë në distancë me njëri-tjetrin.
Italiani është shprehur së fundmi se të fitosh 2 gara, nuk justifikon dështimin e një viti e gjysmë, aq sa iu desh Lorenzos të përshtatej me motorin Ducati. Nga ana tjetër, Lorenzo është shfaqur i zhgënjyer nga fjalët e “shokut” të skuadrës, pasi vitin e kaluar, kur Dovizioso luftonte për titullin kampion, spanjolli thotë se e mbështeste dhe duartrokiste sa herë që i jepej mundësia. Por sipas tij, dëshira e vërtetë e Doviziosos ka qenë gjithmonë që të nxjerrë jashtë loje “shokun” e skuadrës. Lorenzo vë në dukje edhe faktin se gjatë këtij sezoni, në shumicën e garave ai është më i shpejtë se Dovizioso, e kjo është diçka që italiani nuk mund ta pranojë lehtësisht.
Për momentin nga ana e skuadrës së Ducatit nuk ka asnjë ndërhyrje në lidhje me këtë situatë, që duket se drejtori Alberto Puig preferon ta zgjidhë brenda bokseve të skuderisë italiane. Dovizioso nga ana tjetër është shprehur se marrëdhënia e tij me Lorenzon do të jetë e njëjtë si në fillim, me respekt ndaj njëri-tjetrit, nëse jo, atëherë sipas tij ky do jetë një problem i spanjollit e jo i tij.