Pas 25 vitesh, ‘MotoGP’ zbarkoi të garonte në Indonezi, në një garë që nuk zhgënjeu me spektaklin dhe të papriturat. Çdo skenar i menduar pas provave zyrtare ra poshtë në momentin kur pista e Mandalika-s u pushtua nga reshjet e shiut. Ai që përfitoi, ishte Miguel Oliveira.
Si zakonisht në të tilla raste, piloti portugez diti të shfaqte në mënyrë të përkryer aftësitë e tij për të garuar në një pistë të lagur, duke fituar edhe duelet me ata që po ashtu cilësohen si ndër më të mirët nën reshjet e shiut. Oliverira la pas fillimisht Quartararon, që bëri një nisje shumë të dobët nga ‘pole-position’.
Më pas, portugezi me motorin ‘KTM’ triumfojë në duelet ndaj Johan Zarco e Jack Miller, duke garuar i qetë drejt triumfit. Dy motorët Ducati e patën të vështirë të ruanin ritmin e Oliveiras dhe në fund, konsumi i madh i gomave filloi t’u kompromentonte garën. Nga kjo përfitoi Quartararo, që ia doli të rikuperonte e ta mbyllte në vendin e dytë, një rezultat mëse i kënaqshëm për kampionin e botës, duke marrë parasysh rrethanat.
Zarco ndërkohë kompletoi podiumin, me Ducati-n ‘Pramac’ që fiton një tjetër duel me Ducati-n zyrtar. Miller u rendit i katërti, përpara dy motorëve Suzuki të Alex Rins e Joan Mir, teksa zhgënjeu Francesco Bagnaia, që e mbylli në vendin e 15. Marc Marquez nuk mori pjesë në këtë garë, për shkak të një dëmtimi të marrë pas një aksidenti të frikshëm në provat e lira, mëngjesin e së dielës.
Telashet për spanjollin duket se nuk kanë të sosur dhe pjesëmarrja e tij në garën e Argjentinës, pas dy javësh, mbetet në diskutim. Pas 2 garave të para, Enea Bastianini vijon të jetë në krye të renditjes së përgjithshme për pilotë, me 30 pikë, 2 më shumë se sa Brad Binder, ndërkohë që Quaratararo ësthë ngjitur në vendin e tretë, me 27 pikë.