Jack Miller ka treguar një formë mjaft të mirë përgjatë pjesës së dytë të sezonit në ‘MotoGP’, duke siguruar edhe rezultate të rëndësishme si podiumet në Britani e Austri apo edhe triumfi në pistën e Motegit në Japoni. Ndërsa në garën e fundit, atë në Tajlandë, piloti i Ducati-t zyrtar u kënaq me vendin e dytë, pasi humbi duelin për fitoren me Miguel Oliveira-n. Aktualisht, piloti australian mban vendin e pestë në renditjen e përgjithshme për pilotë me 179 pikë, me një distancë prej 40 pikësh nga lideri i botërorit dhe njëkohësisht kampioni i botës në fuqi, Fabio Quartararo. Kur kanë mbetur edhe 3 gara deri në fundin e sezonit, matematika e mban Jack Miller në lojë për të tentuar titullin kampion, por vetë australiani nuk i sheh të mëdha mundësitë që të realizohet diçka e tillë.
“Është shumë e vështirë. Sigurisht që do e dëshiroja një gjë të tillë, por me 3 gara të mbetura, është e vështirë të arrihet tek titulli. Më shumë se sa prej distancës, e them ketë sepse të gjithë pilotët e tjerë që janë në garë po kalojnë një formë të mirë dhe kanë shanse të mira për garat e ardhshme.”
Miller nuk harroi të thurte elozhe edhe për shokun e tij të skuadrës, Francesco Bagnaia, i cili është vetëm 2 pikë larg Quartararo-s dhe mbetet njeriu për t’u mundur në pjesën e dytë të sezonit. Miller thotë se ‘Peco’ ka bërë një punë të shkëlqyer për të përshtatur Ducati-n edhe në pistat ku nuk shiheshin si favoritë, duke nxjerrë mësime nga e kaluara. Gjithësesi, australiani hezitoi të bënte një parashikim se kush do të mbyllë në krye 2022-shin, duke garantuar se të gjithë do të luftojnë deri në metrat e fundit shanset e tyre.