MotoGP, Miguel Oliveira konfirmon mungesën në garën e Argjentinës

Sport

Edhe Miguel Oliveira do të mungojë në garën e radhës të ‘MotoGP’, të vlefshme për ‘Çmimin e Madh’ të Argjentinës. Piloti portugez u përfshi në një aksident të rrezikshëm në xhirot e para të garës hapëse të sezonit, ku u mor përpara nga ana e pilotit të Honda-s, Marc Marquez. Ky i fundit e ka konfirmuar mungesën e tij në garën e ardhshme, teksa ka marrë përsipër përgjegjësinë e aksidentit të ndodhur në Portimao. Oliveira mori ndihmën mjekësore dhe pas analizave të para, nuk janë raportuar dëmtime serioze për pilotin e ‘RNF Aprilia’. Megjithatë, drejtuesit e skuadrës e kanë konfirmuar mungesën e portugezit në garën e ardhshme, për të qenë të sigurt në rikuperimin e plotë të Oliveira-s. Ky i fundit shihej si një pretendent në garën e Portimaos, që e kishte fituar edhe më parë në karrierën e tij, mirëpo kontakti me Marc Marquez ndryshoi gjithçka, duke shkatërruar edhe një debutim ëndrrsh të portugezit me ‘RNF Aprilia’. Veç Marquez e Oliveira, në Argjentinë është konfirmuar edhe mungesa e pilotëve si Enea Bastianini apo Pol Espargaro. I pari pësoi një frakturë në shpatullë, pasi një aksidenti në ‘Sprint Race’ në fundjavën e Algarves. Kurse Espargaro pësoi një aksident të frikshëm gjatë provave të lira, duke pësuar po ashtu fraktura, e çfarë e bën të pamundur zbritjen e tij në pistë në garën tjetër. Kështu, në rast se skuadrat nuk do t’i zëvendësojnë pilotët e dëmtuar, gjasat janë që në Argjentinë, në linjën e nisjes të jenë vetëm 18 pilotë. Gara për ‘Çmimin e Madh’ të Argjentinës do të mbahet fundjavën e ardhshme dhe do të zhvillohet në cirkuitin e ‘Termas de Rio Hondo’.