MotoGP, ‘Mea culpa’ e Bagnaia-s; Bezzecchi dhe Martin rihapin luftën për titull

Sport

Çështja e titullit kampion për këtë sezon të ‘MotoGP’ po hyn në pjesën më të nxehtë, teksa kur kanë mbetur edhe 7 gara deri në përfundim të botërorit, çdo gjë mbetet e hapur. Kjo, falë vetë kampionit të botës në fuqi, Francesco Bagnaia, i cili bëri një gabim që mund t’i kushtojë jo pak në garën për ‘Çmimin e Madh’ të Indisë. Gara nisi me tre protagonistët kryesorë të sezonit nga linja e parë, Bezzecchi nisej nga ‘pole-position’, por nuk ia doli të bënte një nisje më të mirë se sa Bagnaia e Martin. Megjithatë, brenda xhiros së parë, piloti italian i skuadrës ‘VR46’ ia doli të rikuperonte, duke rimarrë kryesimin. Madje Bezzecchi do të krijonte shumë shpejt një distancë sigurie nga rivalët e tij, duke përfituar nga dueli i gjatë dhe stërmundues mes Martin e Bagnaia. Ky i fundit do t’ia dilte të merrte vendin e dytë dhe atëherë kur u duk se do të vihej në ndjekje të Bezzecchi-t, do të humbiste kontrollin e Ducati-t, duke përfunduar jashtë gare. Një gabim që markës italiane i kujton botërorin e vitit 2021, kur nxitimi i tepruar i Bagnaia-s i kushtonte titullin këtij të fundit në duelin ndaj Quartararo-s. Si për ironi, pikërisht piloti i Yamaha-s ishte ai që përfitoi nga rrëzimi i italianit. Quartararo mori vendin e tretë dhe në xhiron e fundit, kërkoi të përfitonte nga një gabim i Jorge Martin për të marrë edhe vendin e dytë, por në fund piloti spanjoll i skuadrës ‘Pramac’ ia doli të kalonte finishin përpara tij. Një garë e lodhshme, sidomos për Martin, që vuajti të nxehtin e madh në Indi, duke patur një duel konstant, fillimisht me Bagnaia, e më pas me Quartararo. Por një vend i dytë që vlen jashtëzakonisht shumë, pasi spanjolli tani është vetëm 13 pikë larg kreut të renditjes së përgjithshme për pilotë, që vijon të mbahen nga kampioni i botës në fuqi. Në lojë për titullin është rikthyer edhe Bezzecchi, me 44 pikë distancë nga Bagnaia, duke premtuar shumë në fundin e sezonit. Sërish garë për t’u harruar për Marc Marquez. Ndonëse tek Honda shpresonin edhe në një podium në garën e Indisë, ish-kampioni i botës do të gabonte në xhirot e para, në daljen nga kthesa e parë dhe nuk mund të shkonte më larg se vendi i nëntë. çfarë mund të ketë vulosur njëherë e mirë sezonin e tij. Brad Binder e mbylli i katërti, duke lënë pas vetes, Mir, Zarco, Morbidelli e Vinales.