Jorge Martin duket se do të jetë një kandidat i fortë për titullin kampion në ‘MotoGP’. Piloti i skuadrës ‘Pramac’ arriti të merrte një triumf me shumë peshë në cirkuitin e Sachsenring, për ‘Çmimin e Madh’ të Gjermanisë, teksa la pas vetes pas disa dueleve mjaft të bukura, kampionin e botës në fuqi, Francesco Bagnaia. Martin vinte në fakt si një pretendent në këtë garë, duke qenë se kishte fituar atë ‘Sprint’ një ditë më parë, megjithatë, hasi në një rezistencë mjaft të fortë nga Bagnaia. Piloti i skuadrës zyrtare të Ducati-t ia doli të përmirësohej ndjeshëm në sekotrin e dytë të pistës, aty ku kishte hasur probleme gjatë gjithë fundjavës. Italiani u përpoq deri në momentin e fundit të tentonte parakalimin që do t’i jepte fitoren, por Martin u mbrojt si duhet, duke fituar garën e tij të parë që nga 2021-shi. Ndërsa podiumi në Gjermani u plotësua nga piloti tjetër i skuadrës ‘Pramac’, Johann Zarco. Vetëm vendi i katërt për Marco Bezzecchi, me 10-shen e parë që u plotësa nga Luca Marini, Jack Miller, Alex Marquez, Enea Bastianini, Fabio Di Giannantonio dhe Miguel Oliveira. Tjetër zhgënjim për Marc Marquez. Piloti spanjoll i Honda-s u përfshi në një aksident të rrezikshëm gjatë xhirove të lira përpara nisjes së garës dhe e kishte të pamundur të garonte, duke shtuar dyshimet e të gjithëve se ish-kampioni i botës mund të kthehet sërish në formën e tij më të mirë. Sa i përket renditjes, kampioni i botës në fuqi, ‘Pecco’ Bagnaia mbetet njeriu për t’u mundur. Italiani ruan kryesimin me 160 pikë, 16 më shumë se sa Jorge Martin. Ndërsa më të distancuar janë Marco Bezzecchi me 126 pikë dhe Johann Zarco me 109. Ndalesa e radhës e ‘MotoGP’ do të jetë javën e ardhshme, me elitën e garave më motora që do të zbarojnë në Holandë.