“MotoGP” nuk zbriti të garonte fundjavën që lamë pas në Silverstone, për shkak të kushteve të rënda të asfaltit të pistës britanike. Drejtuesit dhe organizatorët e garës vendosën ta anulonin këtë garë, çfarë do të thotë se pilotët do të zhvillojnë një garë më pak se sa ishte planifikuar në kalendar.
Sigurisht që nga kjo situatë përfiton më së shumti kryesuesi i renditjes për pilotë, Marc Marquez, që tashmë do t’i duhen më pak pikë për t’u konfirmuar si kampion bote në “MotoGP”. Por vetë Marquez nuk e sheh kështu. Piloti i Hondas, i cili ishte pjesë e shumicës së pilotëve që votoi pro anulimit të garës, thotë se nuk mendoi për asnjë moment për çështjen e titullit.
Marquez shprehet se kjo situatë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Sipas tij, shumë e mendojnë si diçka që e favorizon Marquez, por kjo garë e anuluar mund të konsiderohet edhe si humbje pikësh për të. Diferenca aktuale e Marc Marquez me ndjekësin më të afërt është 59 pikë. Por vendi i dytë, që mbahet nga Valentino Rossi, nuk përbën ndonjë kërcënim të madh, duke parë nivelin e ulët që ka Yamaha në këtë periudhë. Rreziku i vërtetë për Marquez vjen nga dy pilotët e Ducatit, që aktualisht kanë një diferencë prej 71 dhe 71 pikësh me pilotin e Hondas. Duke parë atë që marka italiane ka ofruar në garat e fundit, një përmbysje e vendeve të para të tabelës është një realitet.