Marc Marquez duket se këtë sezon nuk ka kundërshtarë. Piloti i Hondas ia doli të triumfonte edhe në garën e shtëpisë së tij në Jerez të Spanjës, duke dominuar bindshëm ndaj të gjithë rivalëve të tij. Spanjolli la pas vetes në vend të dytë Yohann Zarco me “Tech3”, që u provoi edhe njëherë të gjithëve cilësitë e tij. Rezultat mjaft i mirë edhe për Suzukin, që zuri vendin e fundit të podiumit me anë të pilotit italian Andrea Iannone, podiumi i dyte në këtë sezon për të.
Vetëm vendi i 5 dhe i 7 për Yamahan, me Valentino Rossin që fitoi edhe njëherë sfidën brenda skuadrës me Maverick Vinales. Kurse vendet 4 dhe 6 shkuan për skuderinë Pramac Racing, me motorrët e pilotuar nga Danilo Petrucci dhe Jack Miller.
Zhgënjim total ndërkohë për Ducatin, që i pa të dy pilotët e saj të dilnin jashtë gare, në një aksident që përfshiu edhe Dani Pedrosan e Hondas. Në fakt deri në momentin e përplasjes, Ducati po zhvillontë një garë mjaft të mirë, por ishte një gabim i Jorge Lorenzos, që i kushtoi shumë skuderisë italiane, dhe që duket se do të ulë shanset që Lorenzo të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe vitin e ardhshëm.
Marc Marquez kryeson kështu i vetëm botërorin e MotoGP me 70 pikë të grumbulluara deri më tani, dukë patur pikërisht Zarcon ndjekësin e tij më të afërt me 58 pikë në 4 gara të zhvilluara.