MotoGP, Marc Marquez nis fazën tjetër të rikuperimit; Honda zbulon gjendjen e pilotit

Sport

Padyshim që pa të në pistë, garat e ‘MotoGP’ nuk mund të konsiderohen të njëjta. Mungesa e Marc Marquez në garat e fundit të zhvilluara përgjatë këtij sezoni ka bërë që edhe Honda të humbasë shkëlqimin e zakonshëm. Piloti spanjoll iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, në krahun e djahtë, që vazhdon t’i japë makthe, njësoj si në momentin e parë të atij aksidenti fatkeq në vitin 2020. Pas muajsh të tërë rikuperimi, Marquez ia doli të rikthehej të garonte, edhe pse e pranonte që ndjente dhimbje në çdo kthesë që përshkruante. Në përgatitjet për garën e Indonezisë, këtë sezon, Marquez pësoi një tjetër aksident të ngjashëm, që risolli frikën tek piloti spanjoll dhe skuadra Honda. 6 herë kampioni i botës iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje dhe tashmë gjërat kanë filluar të ecin në mënyrën e duhur.

Drejtuesit e Hondas kanë lajmëruar se 29-vjeçari ka nisur punën me fizionterapinë dhe ushtrimet për frymëmarrjen e rezistencën fizike, çfarë kalon në një fazë tjetër rikuperimin e tij. Vetë piloti spanjoll ka konfirmuar se ka filluar të intensifikojë stërvitjen e tij dhe mezi pret që të rikthehet në pistë, ndonëse për këtë ende nuk ka një datë të saktë. Për Marquez është e pamundur që të flitet për objektiva këtë sezon, por 29-vjeçari kërkon të rikthehet sa më shpejt, në mënyrë që të ketë kohën e mjaftueshem për të rikuperuar formën e tij, duke qenë gati të japë maksimumin në sezonin e ardhshëm. Këtë vit, Marquez ia ka dalë të mbyllë vetëm 6 gara, ku rezultati më i mirë i arritur prej tij, ka qenë vendi i katërt në pistën e Jerez.