Marc Marquez këtë sezon nuk ka kundërshtarë. Piloti i Hondas ka dalë triumfues edhe në ndalesën e radhës të botërorit të “MotoGP”, në “Çmimin e Madh” të Francës. Kampioni i botës në fuqi në fakt nuk e pati shumë të vështirë në Le Mans. Rrëzimet e Andrea Doviziosos dhe Yohann Zarco i dhanë Marquez hapësirën e duhur për të pilotuar i qetë drejt fitimit të garës. Tek Ducati ky ishte një tjetër zhgënjim i papritur. Dy pilotët e markës italiane, Jorge Lorenzo dhe Andrea Dovizioso morën shumë shpejt kryesimin duke dhënë përshtypjen se do ishin ata fituesit e kësaj gare. Mirëpo një rrëshqitje e motorrit të Doviziosos në një nga kthesat përmbysi gjithçka. Pas daljes së italianit, edhe te Lorenzo filluan të shfaqeshin probleme dhe rendimenti i Ducatit të tij ra ndjeshëm, duke e mbyllur në fund vetëm i gjashti.
Zhgënjimi më i madh për tifozerinë vendase ishte padyshim dalja jashtë gare e pilotit të skuderisë Tech3, Yohann Zarco. Francezi po zhvillonte një garë të mirë dhe ishte pretendent kryesor për ta mbyllur në podium, por në të njëjtën kthesë ku u rrëzua edhe Dovizioso, Zarco humbi kontrollin e motorrit të tij. Kështu Marquez dhe Honda fitojnë në një pistë që nuk konsiderohet aspak si e favorshme për markën japoneze. Një mesazh i qartë ky që për ta nuk ka rivalë deri më tani. Podiumi u plotësua nga dy italianë. Danilo Petrucci e mbylli i dyti dhe la pas vetes në vend të tretë, Yamahan e legjendës Valentino Rossi. Marquez kryeson tabelën e klasifikimit me 95 pikë të grumbulluara, kurse pas tij renditen Vinales, Zarco dhe Rossi, respektivisht me nga 59, 58 dhe 56 pikë.